
Një hap i ri drejt ndërkombëtarizimit: Kolegji Universitar Reald në vizitë zyrtare në Kocaeli University
Në kuadër të strategjisë së ndërkombëtarizimit dhe forcimit të bashkëpunimit me institucione prestigjioze të arsimit të lartë, një delegacion i Kolegjit Universitar Reald zhvilloi një vizitë zyrtare në Kocaeli University, Republikën e Turqisë.
Delegacioni i Kolegjit Universitar Reald përbëhej nga Presidenti i Universitetit, Dr. Serrik Muskaj, Zëvendësrektori, Assoc. Prof. Dr. Myzafer Elezaj, Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Prof. Dr. Petrit Kotori, Drejtoresha e Kërkimit Shkencor dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dr. Lumturi Hoxha, si dhe përfaqësuesja e Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Dr. (c) Klea Muskaj.
Delegacioni u prit nga Rektori i Kocaeli University, Prof. Dr. Nuh Zafer Cantürk. Në takim morën pjesë gjithashtu Zëvendësrektorët Prof. Dr. Ercüment Çiftçi dhe Prof. Dr. Ömer Faruk Çelik, si dhe Koordinatori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Prof. Dr. Müslüm Aracı.
Gjatë takimit u zhvilluan diskutime të frytshme mbi perspektivat e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me fokus në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik në kuadër të programit Erasmus+, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, organizimin e konferencave shkencore dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët.
Delegacioni i Kolegjit Universitar Reald prezantoi zhvillimin institucional të kolegjit, programet e studimit, prioritetet strategjike dhe vizionin për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Nga ana e tij, Rektori i Kocaeli University prezantoi strukturën akademike, kapacitetet kërkimore dhe angazhimin e universitetit në projektet ndërkombëtare, duke vlerësuar rëndësinë e krijimit të partneriteteve të reja me institucione të arsimit të lartë.
Gjatë vizitës u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit (Memorandum of Understanding – MoU) ndërmjet Kocaeli University dhe Kolegjit Universitar Reald, i cili synon zhvillimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor në një kuadër institucional. Marrëveshja parashikon forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, kërkimit shkencor dhe partneriteteve ndërkombëtare, duke krijuar mundësi për realizimin e projekteve të përbashkëta, mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, si dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira.
Në vijim të vizitës, delegacioni i Kolegjit Universitar Reald pati mundësinë të vizitojë kampusin universitar, laboratorët, qendrat kërkimore, bibliotekën dhe njësitë akademike të Kocaeli University, duke u njohur nga afër me infrastrukturën moderne, kapacitetet kërkimore dhe standardet e larta të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.
Vizita u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke konfirmuar vullnetin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe zgjerimin e bashkëpunimit akademik. Kjo vizitë dhe nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në strategjinë e ndërkombëtarizimit të Kolegjit Universitar Reald, duke hapur perspektiva të reja bashkëpunimi në dobi të studentëve, stafit akademik dhe zhvillimit të përbashkët shkencor të të dy institucioneve.
Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Kolegjit Universitar Reald dhe dëshmon përkushtimin e institucionit për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme me universitete me reputacion ndërkombëtar, në funksion të rritjes së cilësisë akademike dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndëruniversitar.
Kolegji Universitar “Reald”
ATY KU NDERTOHET E ARDHMJA JUAJ !





Leave a Reply